Libri “A je online” i autores Aulona Ilasllari për një botë që pret gjithmonë një mesazh

“A je online?” i autores Aulona Ilaslari, i botuar në vitin 2025, është një libër që i përket plotësisht kohës sonë. Një libër i thjeshtë në formë dhe i lehtë për t’u lexuar. Në qendër sjell një tematikë aktuale, për mënyrën se si teknologjia, komunikimi dhe marrëdhëniet njerëzore janë ndërthurur me njëra-tjetrën në jetën e përditshme.

Një libër që mund të lexohet nga mosha të ndryshme, sepse ajo që trajton nuk i përket vetëm një brezi. Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë kemi pritur një mesazh duke parë mbi ekranin e celularit në pritje të një përgjigjeje.

Libri, me 190 faqe, nis me një prolog që e afron lexuesin menjëherë me ngjarjen dhe krijon një lidhje të natyrshme drejt asaj që do të vijoj. Më pas rrëfimi kalon nga një moment në tjetrin, duke ndërthurur narracionin me biseda, dialogë dhe komunikime në chat. Kjo mënyrë ndërtimi e bën tekstin dinamik dhe i jep lexuesit ndjesinë se po ndjek nga afër një komunikim, një marrëdhënie dhe një realitet që mund të jetë fare pranë nesh.

“A je online?” është edhe një pyetje e thjeshtë, por brenda saj fshihet shumë më tepër. A je aty? A po më mendon? A do të më përgjigjesh? A ekziston ende ajo lidhje mes nesh?

Njohja me njëri-tjetrin mund të kishte ndodhur ndryshe. Por bota moderne i solli njerëzit më pranë përmes një ekrani, një mesazhi, një telefonate, një fjale të shkruar dhe pikërisht këtu nis një nga dimensionet më interesante të librit, ku afërsia fizike nuk është gjithmonë e nevojshme për të krijuar një lidhje, ndërsa largësia nuk është thjesht hapësirë. Në një kohë kur një mesazh mund të shkruhet për pak çaste dhe pritja për të mund të zgjasë një ditë, një javë, një muaj apo edhe një vit, libri  prek një ndjesi shumë njerëzore, pritjen. Pritjen e një përgjigjeje, e një fjale apo dikë që është vetëm një ekran larg. Ndoshta këtu qëndron edhe thelbi i kësaj historie. Disa mesazhe duan vetëm pak çaste për t’u shkruar dhe mund të kërkojnë një jetë të tërë për të kuptuar esencën e tyre.

Aulona Ilasllari sjell një rrëfim të ndërtuar mbi komunikimin e kohës sonë, ku në thelb flet për ndjenja shumë të vjetra, si: afrimi, largimi, pritja, pasiguria, dëshira për t’u dëgjuar dhe nevojën njerëzore për të mos mbetur vetëm përballë heshtjes.

“A je online?” është një libër ku tematika e tij është ajo e së tashmes dhe, ndoshta, edhe e së ardhmes. Pasi, teknologjia mund të ndryshojë mënyrën se si komunikojmë, por pyetjet që i bëjmë njëri-tjetrit mbeten po ato.

Në fund të fundit, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është nëse dikush është online, por nëse është ende aty për ne.