Botime Univers ka përkthyer në shqip “Drakulën” e Bram Stokerit, një prej klasikëve më të njohur të letërsisë botërore. Libri vjen në dy versione HardCover dhe SoftCover, duke i dhënë lexuesit mundësinë ta zgjedhë librin në formën që i përshtatet më shumë.

I përkthyer nga Elvis Hyseni, tashmë përkthyes i shtëpisë botuese Botime Univers, vjen në shqip kjo vepër e rëndësishme e letërsisë gotike. Ka disa libra që, edhe pse janë shkruar shumë vite më parë, vazhdojnë të na flasin sikur janë shkruar sot. “Drakula” është pikërisht njëri prej tyre.
Por çfarë e bën këtë vepër kaq të veçantë? Atmosfera e misterit që të shoqëron që në faqet e para dhe udhëtimi drejt një bote të panjohur, aty ku takohen realiteti dhe e jashtëzakonshmja. Gjithashtu dhe vetë figura e Drakulës, si një personazh që prej më shumë se një shekulli vazhdon të ushqejë imagjinatën e lexuesve. Romani i Bram Stokerit është një histori për frikën, misterin, përballjen me të panjohurën dhe përpjekjen e njeriut për të kuptuar atë që nuk mund ta shpjegojë. Përmes ditarëve, letrave dhe dëshmive të personazheve, ngjarjet ndërtohen pak nga pak. Lexuesi, nuk i merr të gjitha përgjigjet menjëherë. Ai i zbulon bashkë me personazhet dhe, pikërisht për këtë, ndihet gjithnjë e më tepër pjesë e historisë. Pikërisht kjo është ndjesia që e ka bërë “Drakulën” një vepër që vazhdon të lexohet dhe të rizbulohet nga breza të tërë.
Sot, më shumë se një shekull pas botimit të parë, emri i Drakulës është bërë pjesë e kulturës botërore. E kemi parë në filma, seriale, ilustrime dhe përshtatje të ndryshme. Por rikthimi te romani i Bram Stokerit është mundësia për ta njohur këtë histori aty ku gjithçka nisi.
Pikërisht për këtë, Botime Univers e sjell këtë vepër në shqip, duke i kushtuar rëndësi përmbajtjes dhe mënyrës se si lexuesi e përjeton librin në duar.
Hard Cover, për ata që e duan librin si pjesë të bibliotekës së tyre dhe vlerësojnë një botim të qëndrueshëm, por edhe për tjua dhuruar miqve të zemrës.
Soft Cover, për ata që kërkojnë një format më praktik, që mund ta marrin me vete dhe ta shijojnë kudo.
Dy versione të ndryshme, por e njëjta histori. Një histori që ka kaluar breza, ka kapërcyer kufijtë e kohës dhe vazhdon të na bëjë të kthejmë faqen tjetër edhe kur ndonjëherë do të donim ta mbyllnim librin.
“Drakula” e Bram Stokerit është një klasik që ia vlen të lexohet për të zbuluar historinë e Drakulës, si dhe për të përjetuar misterin dhe botën që e bëri këtë personazh të pavdekshëm.
