Dhuna s’diti me pra: Pater Zef Pllumi përballë diktaturës – “Kurrgja ma shumë se liria.”

Nga Eduart Bardhi

Ç’është Liria? Kjo është një pyetje shumë e gjerë, përgjigjja e së cilës hyn e del nëpër disiplina të ndyshme studimore të shkencave sociale, të cilat i shpjegojnë konceptet nocionet në lidhjet e tyre të varësisë që krijojnë me njeriun dhe veprimtarinë e tij. Thënia biblike e para ishte fjala, sigurisht përligj edhe zërin e shkrimtarëve, të poetëve, si edhe mënyrën e tyre të të dëshiruarit, kërkuarit dhe idealizuarit të lirisë. Pa hyrë në shtresime teorike të termit dhe implikime të tij, mbetemi në nivel literal ku liria si fillim ka të bëjë gjendjen e të qenit pa kufizim, e të paturit fuqi për të ekzekutuar veprime pa pengesa. Liria është tema bosht në librin e At Zef Pllumit Dhetë vjet Liri. Vepra u regjistrua në formë zanore nga autori[1] dhe u botua për herë të parë në vitin 2017. Autori e kishte menduar që ky libër të shërbente si vëllimi i katërt i prozës memuaristike Rrno vetëm për me tregue dhe të dilte pas vdekjes së tij, por, sipas shënimit të At Vitor Demajt, i cili u përkujdes për botimin, për shkak se teksti ishte i shkurtër, u vendos që të publikohej së bashku me dy pjesë të tjera.[2] Rrëfimi autorial zhvillohet përmes llojit të ditarit autobiografik, i njohur edhe si letërsi konfessionale. Ky term, i konsideruar nga kritikët si mjaft fleksibël, sugjeron një lloj fiksioni “autobiografik”[3] të shkruar në vetën e parë, i cili në pamje të parë paraqitet si një vetë-zbulim personal. Pasojat e degradimit dhe të krizës shpirtërore janë të dukshme kudo: në fytyrat e reklamave, në grataçielë, dhe në format e reformave gjithfarëshe. Pikërisht për këtë rënie të lirë, morali dhe vëzhgimi i kujdesshëm i frymës françeskane, At Zef Pllumi, e evidentoi dhe parashikoi: “Liria e ndërgjegjes u kuptua si të drejtë që individi kishte për të përmbysur çdo ligj moral dhe mos t’i bindej asnjë ligje shtetnore. Kështu, grupe mafioze të huaja gjetën terren të përshtatshëm për të organizuar edhe në Shqipëri grupe homologe për kontrabandë droge, femrash, fëmijësh, për prostitucion dhe tregtinë e organeve trupore për transplantim. Tregu i vizave pushtoi gjithë vendin. ‘Njeriu i ri’ shqiptar, i dalë nga ‘farka e kalitjes’ të materializmit shkencor, gjeti idealin e vet tek fitimi dhe paraja. Para këtij ideali materialist u zhdukën të gjitha të tjerat: nuk pati më atdhe, fe, popull, kulturë, përparim, dije, art, apo ndjenja njerëzore.”[4] Administratorët e rinj të shtetit menduan se kjo ishte rruga e mbarë.

 Pas një periudhe korrektësie mashtruese, një pjesë e shqiptarëve filloi të besojë se kapitalizmi ishte një sistem ekonomik ku çdo familje mund të jetonte pa punë, thjesht duke investuar paratë e veta në fondacione dhe inkubatorë të ndryshëm. Kështu, u duk një shpikje e re, një sukses i madh i ekonomisë kapitaliste të demokracisë së re shqiptare.

Sipas At Zef Pllumit, ky mentalitet vrastar për jetën dhe kjo qasje halucinante ndaj një sistemi të ri, të panjohur me rregullat e tij, e çoi Shqipërinë në “repartin e reanimacionit”.[5] Ai shkoi te shumë lexues për shkak të narracionit të tij të rrjedhshëm, të gjallë dhe të vërtetë por edhe për shkak se nuk u përgjigj me urrejtje– cilësi e thellë e krishtërimit dhe e qytetërimit perëndimor, që i kundërvihet padijes dhe mizorisë. Kjo kontrast i fortë thekson përplasjen midis dy botëve: njëra bazuar në dhunë dhe padije të thellë, tjetra në dije, moral dhe besim. Simbol i integritetit moral, At Zef Pllumbi e shndërron veten dhe historinë në një mësim më vete, një dritë që sfidon errësirën. Ai e kthen veten në institucion.[6]

***

Diktatura komuniste në Shqipëri përbën një nga rastet më të veçanta në hapësirën e Lindjes komuniste. Në shumë aspekte, ajo është krahasuar me modelin e diktaturës staliniste në Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, pikërisht kjo veçanti ka bërë që regjimi shqiptar të mos kuptohet plotësisht në thellësinë dhe në përmasën e tij reale.[7]Për shkak të natyrës së funksionimit dhe të mekanizmave të veprimit të tij, ky regjim ka mbetur për një kohë të gjatë pak i njohur ose i mbuluar nga fshehtësia. Sipas Yves Chevrel, “një ndër konceptet më të përdorura, por njëherazi edhe ndër më të paqartat në kritikën evropiane të shekujve XIX dhe XX, është koncepti i realizmit.” [8]Akoma më problematik paraqitet koncepti i realizmit socialist, një nocion vlerësues që përpiqet të emërtojë dhe të përcaktojë letërsinë e krijuar në vendet e bllokut socialist. Letërsia shqipe e shekullit XX është krijuar në përthyerje me veten dhe me  tjetrin/tjetrën. Kjo është kushtëzuar më shumë nga rrethana shoqërore e politike sesa letrare.[9] Me termin “Letërsia e Tjetrit” nënkuptojmë letërsinë jozyrtare, të krijuar gjatë periudhës 1945–1990, një letërsi që lidhet ngushtë me epokën komuniste në Shqipëri. Kjo letërsi, e prodhuar në një kontekst diktatorial, përbën një dimension tjetër të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Siç vërehet edhe nga literatura kritike, “përbrenda çdo letërsie kombëtare ndeshemi me po ato probleme, me probleme të përcaktimit të saktë të ndihmesës së rajoneve apo qyteteve të veçanta”.[10]

Pas arrestimit, Zef Pllumi përjetoi një kalvar të gjatë ndëshkimesh në disa prej kampeve më të ashpra të punës së detyruar të regjimit komunist në Shqipëri, ndër të cilat spikasin kampi i Kampi i Maliqit dhe ai i Kampi i Bedenit. Këto kampe përbënin një nga instrumentet kryesore të represionit politik dhe të shfrytëzimit të punës së detyruar gjatë konsolidimit të regjimit komunist. Në këtë kontekst represiv, përveç ekzekutimeve pa gjyq të kryera nga forcat e ndjekjes gjatë operacioneve për shtypjen e kryengritjeve, u zhvilluan edhe procese gjyqësore të karakterit politik, të cilat përfunduan me dënime kapitale dhe me dënime të rënda me burgim. Në vitin 1946 gjykata dha dënime me vdekje me varje ne litar dhe pushkatim, perveç denimeve me burgim per të ashtëquajtrin grupi i sabotatoreve të tharjes së kënetes së Maliqit.[11] Kanali synonte të largonte ujin nga fusha dhe të mundësonte tharjen e zonës kënetore. Punimet për hapjen e tij u zhvilluan nga prilli deri më 28 nëntor 1948. Në këtë ndërmarrje u angazhuan të burgosur të ardhur nga burgjet e Shkodër, Elbasan dhe Durrës, si edhe disa të transferuar nga kampi bedenit tek kampi i maliqit. Të burgosurit u vendosën në baraka të improvizuara, të ngritura për të përballuar disa muaj punë të detyruar. Ndër të burgosurit e ardhur nga Shkodra që punuan në këtë kamp ishte edhe Zef Pllumi, atëherë në moshë të re.[12]

Një veçori e këtij kampi ishte fakti se në një brigadë të vetme punonin 29 priftërinj katolikë, të ardhur të gjithë nga burgu i Shkodrës. Midis tyre përmendeshin: Mikel Koliqi, Donat Kurti, Nikollë Shelqeti, Nikollë Laska, Rrok Fishta, Nikollë Mazreku, Ndue Suma, Ndue Soku, Mark Hasi, Zef Pllumi, Vlash Muçaj, Pal Gjini, Injac Gjoka, Gegë Luma, Agostin Ashiku, Çiril Cani (75 vjeç), Frano Kiri, Dionis Makaj, Karlo Serreqi, Leon Kabashi, Aleks Baqli, Filip Mazreku, Mëhill Miraj, Mark Harapi, Jak Gardini, Anton Luli dhe Alfons Ujka. Prania e një numri kaq të madh priftërinjsh në një kamp të punës së detyruar përbënte një rast të pazakontë. Ndër të dënuarit që kaluan në këtë kamp ishte edhe Sami Repishti, i cili në kujtimet e tij përshkruan mbërritjen në kamp: “Arritëm në kamp në orët e vona të pasdites. Zbritëm njëri pas tjetrit dhe, pasi u rreshtuam për numërim, hymë brenda nga porta e madhe. Kampi ishte vendosur në faqen e një kodre dhe shikonte mbi një fushë të mbuluar aty-këtu me pellgje uji, një kënetë gjysmë të tharë, që më vonë mora vesh se quhej kënetë e Bedenit, në Kavajë.”[13] Më tej, Repishti përshkruan kushtet e punës në kamp: “Pamja më jepte idenë e galerave skllavëruese: puna në kanal, oficerët mbikëqyrës dhe policët me shkopinj që rrihnin punëtorët, sidomos ata që guxonin të ngrinin kokën ose ndalonin për të marrë frymë.”[14] Mjeti më i përdorur nga Sigurimi i Shtetit gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist ishte tortura. Ish-Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në promemorjen e tij, pranonte se: ‘Vazhdimisht janë përdorur tortura të ndryshme; nuk ka pasur procese, as në qendër e as në rrethe, ku të mos jetë përdorur druri. Këto tortura përfshinin: drurin, pincën, kamzhikun, litarin e lagur, telefonin, jelekun, hekurin e nxehur, qëndrimin pa ujë dhe pa bukë, zhveshjen, dhe hekurat në trup. Në organet e Sigurimit kjo ishte bërë një vijë e përgjithshme, madje edhe në raste kur mund të punohej me pyetje për më kollaj, përdorej druri.[15]Këto institucione përfaqësonin më shumë sesa një formë dënimi penal  ato funksiononin si mekanizma sistemikë të zhveshjes së individit nga dinjiteti njerëzor, përmes punës së rëndë fizike, kushteve çnjerëzore të jetesës dhe një politike të qëllimshme të dehumanizimit. Është pikërisht kjo, të qenit të lirë ajo që na shpie në thelbin deri më sot të pakuptuar të lirisë; e kjo, pasi hapshmëria e sjelljes si një kusht i brendshëm i mundësisë së korrektësisë e ka bazën e vet tek liria. Liria është thelbi i së vërtetës.[16]

Át Zef Pllumi ka jetuar dhe vepruar si dëshmi kundër diktaturës komuniste në Shqipëri, të cilën shpesh e ka përshkruar si një formë të vrazhdë të tiranisë. Kundërshtimi i këtij regjimi ka marrë dy forma kryesore: rezistencë përmes ruajtjes së kujtesës dhe rezistencë praktike gjatë përvojës në burg dhe në kampet e punës së detyruar.[17] Regjimi totalitar shqiptar u bazua në mbylljen ndaj çdo mendimi të pavarur, duke synuar zhdukjen e kujtesës historike dhe të vlerave të trashëguara ndër breza. Përmes kësaj strategjie, ai synonte të krijonte një “njeri të ri” dhe një “botë të re”, duke vendosur mekanizma përmbysjeje që prekeshin çdo aspekt të jetës dhe identitetit të individit. Át Zef Pllumi iu kundërvu këtij procesi përmes kujtesës personale. Ai ruajti përvojat dhe vlerat tradicionale shqiptare, duke i mbajtur të lidhura me përvojat e rinisë dhe njohuritë që mori jashtë kampit. Kjo kujtesë funksionoi si mburojë shpirtërore dhe morale gjatë gjithë jetës, duke i mundësuar të përballonte sprovat e moshës së pjekur dhe të shtyrë, si dhe vuajtjet në burg dhe kamp. Kujtesa e tij u bë një standard moral dhe intelektual, që siguronte forcë për të mos u dorëzuar, edhe përballë kushteve ekstreme. Vetëm lartësitë morale dhe intelektuale mund ta bënin individin të qëndrueshëm përballë provave të vështira të jetës, përfshirë rrezikun fizik dhe degradimin shpirtëror në kushtet e burgimit dhe të punës së detyruar. Shumë personalitete të shquara nuk mundën të përballonin këto kushte, por Át Zef Pllumi mbijetoi, duke ruajtur integritetin e tij dhe identitetin shpirtëror. Përvoja e tij e mbijetuar u shndërrua në themel për krijimtarinë e tij letrare. Duke ruajtur kujtesën dhe duke e rikrijuar atë për të përfshirë përvojat e reja, ai e ktheu historinë personale dhe kolektive në një dëshmi të gjallë. Vepra e tij reflekton një përpjekje vetëmbrojtëse dhe një pasion krijues, që synon të transmetojë të vërtetën historike dhe shpirtërore në mënyrë të saktë dhe të thellë. Në këtë kuptim, mbijetesa e individit te Át Zef Pllumi është e pandashme nga lindja e shkrimtarit. Përmes përvojës së tij, ai dëshmoi fuqinë e fjalës së shkruar: fjalët mund të harrohen nga koha, por shkrimi mbetet si dëshmi.[18] Në librin “Rrno vetëm për me tregue”, Zef Pllumi flet për golgotën e vuajtjeve shqiptare, për vuajtjet personale dhe të vëllezërve françeskanë, pra për ferrin përmes të cilit kaloi ai dhe qindra e mijëra shqiptarë të tjerë. Duke shpalosur historinë e kujtimeve personale, Pllumi në të vërtetë skicon historinë reale të komunizmit shqiptar, me të gjitha tipologjitë dhe ngjarjet që e karakterizuan, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të së shëmtisë, urrejtjes dhe egërsisë.[19] Rrëfimet e tij mbeten objektivisht referenca të përhershme historike, të cilat ndihmojnë për të kuptuar të vërtetën e sundimit komunist dhe pasojat e tij mbi popullin shqiptar.

A e shënjon kujtesa dëshminë, të vërtetën apo besueshmërinë?

Në veprën e At Zef Pllumit, kujtesa vendoset përkrah dëshmisë ose fiksionit, në përballjen me sfidën e madhe për të ofruar një rrëfim të lexueshëm dhe të besueshëm, i cili synon të jetë bindës. Pikërisht në këtë pikë merr formë retorika e letërsisë, e lidhur ngushtë me përpjekjen për të bindur. Në librat e tij të kujtimeve, Pllumi shënjon dhe paraqet dëshminë e tij mbi jetën personale dhe mbi jetën e shqiptarëve gjatë periudhës së errët të diktaturës komuniste, që shtrihet në më shumë se gjysmë shekulli. Për rrjedhojë, këto libra të kujtesës e tejkalojnë fushën e fiksionit, duke mbetur njëkohësisht në marrëdhënie me të dhe duke e shënjuar atë, ndërsa termi i propozuar për ta përcaktuar tipologjikisht është “shkrimtaria”, që nënkupton një shumësi zhanresh. Prandaj, vepra e Pllumit dëshmon për një tipologji letrare shqiptare që kërkon të studiohet si e tillë. Një përcaktim i tillë e shndërron këtë vepër nga një vlerë në një vlerësueshmëri, domethënë në një vepër me vlerë të qëndrueshme. Si rrjedhojë, të gjitha veprat me vlerë të tillë shndërrohen në klasike. Formula emblematike “rrno vetëm për me tregue” shndërrohet në bosht semantik të një shkrimi që tejkalon kufijtë e autobiografisë klasike dhe afrohet me letërsinë e dëshmisë, ku akti i tregimit është ekzistencial.[20] Në veprën e At Zef Pllumit, autobiografia nuk funksionon si rikthim linear i jetës personale, por si konstruksion narrativ ku biografia dhe historia ndërthuren në mënyrë të pandashme. Kjo e vendos tekstin në një zonë ndërmjetëse mes dokumentit dhe letërsisë, duke krijuar një tipologji hibride të shkrimit. Në kontekstin shqiptar, Sabri Hamiti e ka theksuar se letërsia e kujtesës në kushtet e represionit shndërrohet në formë të ndërgjegjes historike, ku fjala letrare bart funksionin e ruajtjes së identitetit kulturor përballë shkatërrimit ideologjik.[21] Po ashtu, Rexhep Qosja, në analizat e tij mbi diskursin letrar dhe historik, ka vënë në dukje se letërsia e periudhave të krizës politike shpesh shndërrohet në formë alternative të historisë së munguar.[22] Nga ana tjetër, përvoja e burgut dhe dhunës artikulohet si mikrokozmos narrativ ku individi shndërrohet në figurë të thyer psikikisht, por njëkohësisht rezistente në nivel etik. Hapësira e burgut shfaqet si “topografi e kujtesës së gjymtuar”,[23] ku rrëfimi bëhet mjet i mbijetesës dhe rikonstruksionit të subjektit. Vepra e At Zef Pllumit mund të lexohet si shfaqje e asaj që Ag Apolloni e koncepton si “letërsi e dëshmisë”,[24] ku teksti nuk synon vetëm estetikën, por artikulimin e traumës historike dhe etike të subjektit të përndjekur. Në një perspektivë dekonstruktive, Jacques Derrida problematizon vetë mundësinë e dëshmisë së pastër, duke treguar se çdo akt dëshmimi është gjithmonë i ndërmjetësuar nga gjuha dhe mungesa e plotë e transparencës.[25] Kjo qasje e bën veprën e Pllumit edhe më komplekse, pasi ajo që paraqitet si dëshmi e drejtpërdrejtë është njëkohësisht strukturim narrativ i përvojës së fragmentuar.Kjo e vendos veprën e tij në një zonë ndërmjetëse ndërmjet letërsisë dokumentare dhe asaj artistike, duke e sfiduar kategorinë tradicionale të zhanrit. Një dimension i veçantë i këtij studimi është raporti ndërmjet letërsisë dhe religjionit, i cili në rastin e At Zef Pllumit merr karakter ekzistencial dhe strukturor. Prania e së shenjtës funksionon si kundërdiskurs ndaj dhunës ideologjike dhe materializmit totalitar.


[1] At Zef Pllumi. Saga e Feminisë. 2017. – “Tue kene se ne kete moshe jam verbue pothuese kretesisht e nuk shoh as me lexue, po e la me goje, para nji mikrofoni, si testament shkrue mbi shirita, prej kah besoj se do të dale nji dite ne drite, librin Dhjetë vjet liri.”

[2]Përfshin tregimin Saga e Feminisë dhe Fjalime të pabotueme, pjesë nga letërkëmbimi i autorit.

[3] Loreta Loli, “Dy misionarë tregojnë historinë: At Justin Rrota dhe At Zef Pllumi”, në Letërsia dhe religjioni, Aktet e Konferencës Shkencore, Universiteti i Tiranës, Departamenti i Letërsisë, 2024, f. 211.

[4] Qeveria demokratike dhe shoqëritë rentierë ose skemat piramidale”, në Vështrim mbi ngjarje dhe fenomene të kohës, Ut Heri Decibamus (Sic thonim dje), Përmbledhje shkrimesh publicistike. Tiranë/Shkodër: Botim, 2002, f. 15. (Publikuar fillimisht në Hylli i Dritës, 3-4/1997, f. 15).

[5] Po aty, f. 17.

[6] Viola Isufaj, “Nëse disidenca ka shumë mungesa, ka ndonjëherë privilegjin e tirazhit”, konferencë ndërkombëtare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2025, Universiteti i Tiranës.

[7] Kastriot Dërvishi, Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste, ISKK, Tiranë, 2015, f. 4.

[8] Yves Chevrel, Letërsia e krahasuar (botimi i dytë i përmirësuar), Botimet “Naimi”, Tiranë, 2016, f. 150.

[9] Muhamet Hamiti, Letërsia shqipe e shekullit XX në përthyerje me veten dhe me tjetrin/tjetrën, në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, f. 593, 2017.

[10] Rene Wellek, Austin Warren, Teoria e letërsisë. “Onufri”, Tiranë, 2015, f. 53

[11] Femi Sufaj, Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist (1945–1990). Tiranë, 2012, fq. 56

[12] Kastriot Dërvishi, Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste, ISKK, Tiranë, 2015, f. 157.

[13] Sami Repishti, Nën hijen e Rozafës: narrative e jetueme, Tiranë, 2004, f. 196–197.

[14] Po aty.

[15] AMPB, fondi Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, dosja 23, viti 1951, Promemorja e Vaskë Kolecit.

[16] Martin Heidegger: Leksione dhe konferenca, (Thelbi i së vërtetës), sht. bot. Plejad, Tiranë, 2003, faq. 211

[17] Sabri Hamiti, Portreti i misionarit At Zef Pllumi, Shtb Albas, Tiranë, 2013, f. 45.

[18] Po aty, f. 46.

[19] Ndue Ukaj. At Zef Pllumi, shkrimtar dhe mendimtar. Botime Françeskane, 2024, f. 253.

[20] Philippe Lejeune, On Autobiography, Minneapolis: University of Minnesota Press, 1989.

[21] Sabri Hamiti, Letërsia shqipe, Prishtinë: Dukagjini, 2003.

[22] Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe, Prishtinë: Rilindja, 1984.

[23] Bajram Kosumi, Letërsia nga burgu: kapitull më vete në letërsinë shqipe (botim i përpunuar). Shkup, 2020.

[24] Ag Apolloni, Paradigma e shkrimit të kujtesës, Prishtinë: Faik Konica, 2012.

[25] Tzvetan Todorov, Facing the Extreme, 1996.