Halloween-i në BookFest: Dy klasikë të letërsisë që e bëjnë frikën një aventurë leximi

Halloween-i është një nga ato momente të vitit kur misteri, e pazakonta dhe historitë e errëta marrin një hijeshi të veçantë. Këtë atmosferë, BookFest e sjell edhe përmes letërsisë, duke ftuar lexuesit të zbulojnë mes shumë titujsh edhe dy prej veprave më të njohura të zhanrit gotik: “Drakula” të Bram Stoker-it dhe “Frankenshtajni” të Mary Shelley-t, te botuara nga Botime Univers

Të shkruara në periudha të ndryshme, por të bashkuara nga fuqia për të ngjallur frikë, kureshtje dhe emocione, këto dy vepra kanë kapërcyer kohën, duke u shndërruar në klasike të pavdekshme të letërsisë botërore.

Në librin “Drakula”, Bram Stokeri na çon në një botë hijesh, kështjellash misterioze dhe ngjarjesh të pazakonta, ku figura e vampirit më të famshëm të letërsisë sfidon kufijtë mes së vërtetës dhe së mbinatyrshmes.

Ndërsa, në librin “Frankenshtajni” i Mary Shellei na njeh me historinë tronditëse të një krijese të sjellë në jetë nga ambicia shkencore e njeriut. Përtej atmosferës së frikshme, romani ngre pyetje të thella mbi krijimin, përgjegjësinë, vetminë dhe natyrën njerëzore.

Dy histori, dy autorë dhe dy personazhe që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në imagjinatën e lexuesve ndër breza.

Këtë Halloween, BookFest ju fton ta përjetoni frikën në një mënyrë tjetër, jo përmes filmave apo historive që tregohen në errësirë, por duke kthyer faqet e librave që kanë frymëzuar breza të tërë. Disa histori janë aq të fuqishme, sa nuk kanë nevojë të dalin nga faqet për t’ju mbajtur zgjuar!