A foli bibla gegnisht në tragjedinë fishtjane? Rasti i Judës Makabe.

nga Msc. Eduart Bardhi

Struktura diakronike e dramës shqiptare dhe roli i Fishtës në konsolidimin e gjinisë dramatike

Struktura diakronike e gjinisë dramatike në sistemin letrar të letërsisë shqipe, nuk mundet ta mënjanojë nevojën që kishte për institucionin e teatrit. Hapësira e vogël që zë drama si prodhim letrar brenda sistemit letrar shqiptar në fazat e tij fillestare, ka të bëjë me faktin se prodhimi kryesor letrar ishte i lidhur ngusht me poezinë.[1]Struktura e sistemit tonë letrar ka pasur si dominante poezinë qoftë në krijimtarinë gojore folklorike, qoftë përsa i përket krijimtarisë letrare të kultivuar. Drama shqipe, në diakroni dhe sinkroni me atë nivel letrar që paraqitet, është lëvruar pa ndërprerje. Sipas studiuesit Sabri Hamiti, “…drama është forma më e kanonizuar letrare, madje formë konservative dhe është e lidhur me teatrin si medium, i cili është i kushtëzuar nga niveli i institucionalizimit të kulturës së një mjedisi. Në parim, forma dramatike nuk shkruhet për t‟u lexuar, por për t‟u luajtur. Vetë këto venerime dëshmojnë pse drama si formë paraqitet vonë në letërsinë shqipe dhe pse variantet e saj nuk janë të mëdha”.[2]Josif Papagjoni në librin i tij “Teatri dhe dramaturgjia shqiptare” duke trajtuar fillesat e teatrit në periudhën e Rilindjes Kombëtare, thekson: “Dramaturgjia, si ushqimi kryesor i teatrit, nisi të shënojë në këtë kohë, tok me gjedhet e tjera letrare, edhe titujt dhe e parë të veprave dhe të autorëve të saj.[3]

Ajo që bie në sy tek dramat e etapës së parë të Rilindjes Kombëtare është të qenët në një linjë me gjinitë e tjera përsa i përket angazhimit në mesazhin dhe idetë patriotike, që këto vepra kërkojnë të përcjellin. Josif Papagjoni shprehet: “Pas fillimeve që teatri shqiptar shënon në periudhën e Rilindjes Kombëtare, si dhe udhës së pohimit të tij si një art me ndikim të fortë publik, i vlerësuar shpesh edhe si mjet lufte për zgjimin e vetëdijes kombëtare, në vitet ‟20-‟30 ai njeh një fazë të re rritjeje, zgjerimi, institucionalizimi, nëpërmjet formave të larme të jetësimit të tij letrar e skenik.”[4] Të lidhura me tematikën biblike dhe me mitet e lashtësisë, tekstet dramatike të këtyre autorëve duket se kanë një lloj magjepsjeje prej teksteve origjinale. Shkalla e lartë e këtij ndërtekstualiteti lidhet edhe me faktin se sistemi ynë i ri letrar sheh tek këto modele dhe motive përsosmërinë e artit të fjalës që lexuesi shqiptar nuk mund ta humbasë. Studiuesi i dramës Jakup Mato, në veprën e tij “Poetika e dramaturgjisë”, vëren se gjatë këtij segmenti kohor u botuan dhe u vunë në skenë mjaft vepra dramaturgjike të llojeve të larmishme.[5] Autorë, si: Gj. Fishta, Z. Harapi, N. Zadeja, E. Haxhiademi, etj., për dhjetëra vjet, për shkaqe tashmë të njohura mbetën jashtë vëmendjes së studiuesve dhe të kritikëve. Në dramaturgjinë e kësaj periudhe do të gjenin më mirë shprehjen artistike konfliktet e mëdha historike. “Kultivimi i gjinisë së dramës në këtë periudhë mund të shpjegohet edhe si nevojë shpirtërore e shkrimtarëve për të komunikuar më shpejt dhe drejtpërdrejt me publikun përmes skenës.[…] Subjektet e veprave e marrin lëndën, jo vetëm nga historia dhe ngjarjet bashkëkohore, por edhe nga mitologjia dhe nga motivet biblike.”[6]

Një nga autorët që i jep dramaturgjisë shqipe të kësaj periudhe nivelin më të lartë është edhe Gjergj Fishta (1871-1940). Në dramën njëaktëshe të Gjergj Fishtës “Odisea”, karakteret vepruese: Uliksi, Telemaku, Penelopa, kanë të mishëruar shumë elemente të traditës së mirë të shqiptarëve, që historikisht ka korresponduar me qytetërimin e lashtë helen. Tek poema tjetër dramatike “Ifigjinia n‟Aulli” e Fishtës, evidentohen elemente origjinale. “Shqiptari i gjytetnuem” është më e ngjashme me formën letrare të recitalit se të dramës. Këtë e vëren edhe studiuesi Nebi Islami. “Në strukturën e saj gjithashtu gjejmë një shtrirje të gjerë të zhvillimeve të dukurive dhe subjekteve të personifikuara, të cilat mishërojnë të kaluarën e lashtë mitike, bëmat historike dhe gjendjen aktuale shoqërore të shqiptarëve me situata të përgjithësuara dhe konkrete lidhur me qytetërimin, sfidat dhe mënxyrat me të cilat është përballur dhe përballej hapësira e shqiptarëve, me mesazhe e vizione mbi mundësitë e kapërcimit të shtangimeve dhe pengesave në rrugën e anticipimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm”.[7] “Juda Makabe” dhe “Barit e Betlemit” janë dy tekste të tjera dramatike të këtij autori që kanë një ndërtekstorësi të fortë biblike[8]. Mbase përzgjedhja e këtyre motiveve është një prirje artistike e Fishtës për të dëshmuar universalitetin dhe aktualitetin e këtyre ligjërimeve.

Dramatika fishtjane

Dramaturgjia zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës. Fishta është poeti i lindur, që gjithë veprën letrare e shkruajti në vargje. Drama e Fishtës është pjesa më pak e studiuar e krijimtarisë së tij. Nëse historia e dramës do të identifikohej me historinë e teatrit, bazuar në idenë se të ndash tekstin dramatik nga loja në skenë është si të ndash “gjuhën” nga e “folura”, do të pajtohemi me mendimin se në letërsinë kombëtare mungonte një traditë parafishtiane.[9] Por, megjithëse drama ishte një gjini jo e suksesshme për kohën, Fishta e lëvroi atë gjithë jetën, paralelisht me gjinitë e tjera.[10] Në një letër dërguar At Pal Dodajt më 1908, Fishta thotë: Due me iu kushtue ma me zell studimit të, për me pa’ n’se vereverte mrrîj ndonji gjâ. Kam lexue vepra të ndryshme të Shekespeare-it e të Moliere-it. Kam hjekë m’anash me shtampue disa prej vjerrshavet t’mija burrnore, due me thanë ode e poemtha dramatikë.[11]  Vetë Fishta ka qenë i vetëdijshëm për këto mungesa të tragjedisë. Në një letër për Atë Pal Dodajn, dorëshkrim i vitit 1911, duke folur për tragjedinë ai thotë: “Sod mbaroj aktin e parë, e megjithse nuk asht edhe aq me akcjon, siç shpresoj me ken ato n’vijim, në tansi mund t’pelqehet”.[12] Kulmi i dramës fishtjane shënohet nga shndërrimi i epikës së vjetër në formë dramatike. “Epika e vjetër shtjellohet në dramë: Odisea, Ifigjenia në Aulidë, Juda Makabe” — vepra që e afirmojnë Fishtën si dramaturg shqiptar, i aftë t’u japë krijesave të reja ngjyra të veçanta dhe cilësi madhnore. Daniel Gjeçaj në Gjergj Fishta, jeta dhe veprat , 1992,ndalet te secila dramë e autorit, merret me historinë e tyre të botimit dhe me tipare të tjera përmbajtësore. Ai sjell një klasifikim kronologjik të dramave të Fishtës si më poshtë:

1- Sh Françesku i Asizit (vëllaznia)………………………………1909

2- Shqyptari i gjytetnuem………………………………………………1911

3- Juda Makabé – tragjedi -……………………………………………1920

4- Baritë e Betlemit……………………………………………………….1925

5- Sh. Luigji Gonzaga…………………………………………………….1927

6- Shqyptarja e gjytetnueme………………………………………..1929

7- Ifigenija n’Aulli – tragjedi -……………………………………..1931

8- Odisea…………………………………………………………………..1931

Kudret Velça në studimin Mbi dramaturgjinë e Fishtës mbështetet në subjeketet e dramave duke i klasifikuar ato në tre grupe:

  1. Drama didaktike, ku problemi i atdhedashurisë trajtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë si melodramat Shqyptari i Qytetnueme, Shqyptarja e Qytetnueme dhe Jerina ose Mbretnesha e Luleve.
  2. Drama kristiane, në qendër të të cilave janë problemet e fesë, që lidhen edhe me jetën e shenjtorëve, siç është drama Baritë e Betlemit dhe melodramat Françesku i Asizit dhe Luigji Gonzaga
  3. tragjedi si Juda Makabé, Ifigenija n’Aulli dhe Odisea, “që janë dhe pjesa më e mirë , më e suksesshme , me nivel më të lartë artistik jo duke e parë në prizmin poetik, në prizmin e lirizmit, që është karakteristikë e gjithë krijimtarisë së tij dramaturgjike, por duke e parë edhe në prizmin e kërkesave të mirëfillta dramaturgjike.[13]
  • Fishta dhe universaliteti biblik në dramën shqiptare

Në temat universale biblike, mbi të cilat filozofia, artet dhe letërsitë e mëdha kanë krijuar kryevepra botërore, drama shqiptare, e cila në periudhën e Rilindjes kishte hapur udhën drejt zhvillimit të mëtejshëm, në këtë fazë shteroi mitet antike dhe ato të Besëlidhjes së Vjetër. Ajo rianimoi ngjarje, figura dhe situata arketipore të ekzistencës nëpër kohë dhe hapësirë, duke u përqendruar në ndriçimin e gjendjeve dhe raporteve të ndryshme historike të njerëzimit, në faktorët etiologjikë të ngecjeve epokale, si dhe duke u përpjekur që, përmes vizioneve të reja, të hapte shtigje për përballimin e pengesave historike dhe ekzistenciale. Në letërsinë shqipe prania e diskursit biblik  mund të evidecohet në forma dhe dimensione të ndryshme , me funksion të ndryshëm   tek atuorët më të mëdhenj  që shënjojnë kulmin e vlerave, në të gjitha nivelet e ndërtimit të tekstit letrar dhe me efekte artistike, në  krijimin e një realiteti artistik të vacatë, brenda një relaiteti shoqëror , në të cilin  funksionon kjo letërisi.[14]

Nocioni i kryqit është një çelës kyç për të kuptuar mesazhin e Biblës; për këtë arsye, kryqi shfaqet shpeshherë në tekstin e shenjtë. Për ilustrim, mund të referojmë disa pasazhe:

  • Ai që nuk merr kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk është dinjitar për mua. – Mateu 10:38[15]
  • Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: ‘Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, le të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. – Mateu 16:24[16]
  • Kush nuk merr kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë nxënës im. –  Luka 14:27[17]

Vepra më me pretendime në drejtim gjinor është Juda Makabé[18] botuar më 1920 nga Shtypshkronja françeskan. Subjekti i dramës është marrë nga bibla (nga Shkrimi i Shenjtë i Testamentit të Vjetër dhe ngalibri i historisë së Makabejve). Megjithëse mori një subjekt nga Librat e Shenjtë, Fishta iu shmang interpretimeve biblike, kryepersonazhi Juda Makabé simmbolizon luftëtarin dhe patriotin, ndërsa fundi i tij tragjik është pasojë e tradhëtisë së Alkimit.  Tragjedia Juda Makabe trajton temën e luftës për atdhe dhe temën e tradhtisë ndaj atdheut me temë, motive e heronj të marrë prej Biblës. Juda Makabe është personazh biblik dhe historik, udhëheqës i hebrenjve në vitet 166-152 p. K. Në tragjedinë e Fishtës ai i prinë ushtrisë hebreje në luftë kundër asirëve, të udhëhequr nga Bakidi. Një nga prijësit hebrej, Alkimi, tradhton atdheun dhe lidh marrëveshje me asirët. Ushtria e Makabeut shkapërderdhet, ajo që mbetet lufton me këmbënguljen e Makabeut, derisa vriten deri te ushtari i fundit. Pikërisht mbi këtë luftë vetëmohuese të Makabeut dhe tradhtisë së Alkimit, Fishta i ndërton idetë e tij poetike dhe mesazhet: himnizon Judën Makabe dhe ushtarët e tij trima dhe mallkon tradhtinë e Alkimit. Tragjedia nuk ka syzhe të ndërtuar përmes veprimit të personazheve dhe konfliktit dramatik. Syzheu më tepër supozohet mbi bazë të faktit të njohur historik sesa që krijohet në tekstin letrar. Konflikti dramatik hetohet në tekstin letrar vetëm kah fundi i tragjedisë, atëherë kur mësohet tradhtia e Alkimit. Syzheu zhvillohet si deklarim, vende-vende shumë i afërt me ligjërimin lirik. Tragjedinë e mbisundon bota e emocioneve. Heronjtë përdallohen mbi bazë të botës shpirtërore, kryesisht në dy grupe, në patriotë dhe në tradhtarë.  Tema biblike, motivi i luftës deri në flijim për atdheun në kundërshtim me tradhtinë ndaj atdheut, karakteret emocionale të heronjve, vargu tetërrokësh i përdorur shpesh, forma poetike e poezisë, të gjitha këto janë karakteristikat kryesore që e bëjnë këtë tragjedi një vepër me frymë thellësisht romantike.[19] Subjekti i dramës është marrë nga luftërat e pareshtura për ekzistencë të hebrenjve antikë, të cilat u zhvilluan pas nënshtrimit të Palestinës nga Aleksandri i Madh dhe pas zëvendësimit të këtij pushteti fillimisht nga Ptolemejt egjiptianë e më vonë nga Seleukidët sirianë. Veçanërisht vendimtare është periudha e sundimit të egër të Epifanit, të ashtuquajturit Antioku IV, në shekullin II p.e.s., i cili, përmes dhunës, synonte helenizimin e izraelitëve. Këta iu kundërvunë këtij procesi me kryengritje të përgjakshme, nën udhëheqjen e parisë dhe të klerikëve, ndër të cilët spikati më së shumti figura e Juda Makabeut.


[1] Gëzim Puka. Elemente moderne dhe postmoderne në dramën shqipe bashkëkohore. Tiranë, f. 11, 2013.

[2] Sabri Hamiti. Tematologjia. Botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, f. 85, 2005.

[3] Josif Papagjoni. Teatri dhe dramaturgjia shqiptare, Tiranë, f. 22, 2011.

[4] Po aty.

[5] Jakup Mato. Poetika e dramaturgjisë dhe e mendimit estetik (1901-1939), Tiranë, f.4, 2005.

[6] Po aty.

[7] Nebi Islami.  Historia dhe poetika e dramës shqiptare I (1886-1996), Prishtinë, f. 89, 2003.

[8] Gëzim Puka. Elemente moderne dhe postmoderne në dramën shqipe bashkëkohore. Tiranë, f. 18, 2013.

[9] Kudret Velça, Dramaturgjia e Gjergj Fishtës, në Seminari XVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Tiranë, 1997, f.883-888

[10] Lili Sula. Poezia e Fishtës. Tezë doktorature, Tiranë, f. 123, 2012.

[11] Gjergj Fishta. – Estetika, T, 1999, f. 198.

[12] Po aty, fq. 201.

[13] Kudret Velça: Seminari XVIII Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Tiranë, 1996, f. 885

[14] Ndue Ukaj. Diskursi biblik në letërsinë shqipe. Gazeta Shkodraloce, 2 korrik 2013.

[15] Bibla e Studimit. Shoqëria Biblike Shqiptare, Tiranë, 2009.

[16] Po aty.

[17] Po aty.

[18] Lili Sula. Poezia e Fishtës. Tezë doktorature, Tiranë, f. 159, 2012.

[19] Bajram Kosumi. Fishta dhe tradita letrare shqiptare. Prishtinë, f. 214, 2011.