Një përpjekje për një lexim psikoanalitik të absurdit: Rasti i Odin Mondvalsenit

Një shkrim nga Msc. Eduart Bardhi

Kasëm Trebeshina është një autor që ka shkruar si romanin tradicional, të kuptuar në kuadrin e zhvillimit të letërsisëse tradites, ashtu edhe një roman me shenja të qarta të modernizmit dhe postmodernizmit. Në këtë kuptim, Odin Mondvalsen mund të konsiderohet si një tekst pararendës i prirjeve moderniste në letërsinë shqipe. Krijimtaria e tij paraqitet si prodhim shpirtëror me përftesa moderne, ku autori lëvron zhanre të ndryshme letrare, përfshirë prozën, poezinë dhe romanin, duke promovuar gjithashtu elemente të surrealizmit në letërsinë shqipe. Rasti i Trebeshinës dëshmon se letërsia nuk ka nevojë të mbrohet përmes kritereve jashtëletrare, por përbën një udhëtim drejt të panjohurës dhe eksplorim të hapësirave ekzistenciale, shpesh të pakapshme dhe të pafundme. Megjithëse në diskursin kritik bashkëkohor ai mbetet një nga autorët më të diskutueshëm, për shkak të polemikave rreth veprës dhe biografisë së tij, krijimtaria e Trebeshinës u zhvillua kryesisht gjatë periudhës së diktaturës dhe u bë e njohur gjerësisht pas viteve ’90. Një pyetje themelore që ngrihet është: çfarë e shtyu autorin të vazhdonte të shkruante, pavarësisht pengesave, përndjekjes dhe margjinalizimit, duke vepruar si një “automat krijues” pa sigurinë e pranimit të veprës së tij? Në këtë kuptim, autori synon shkëputjen nga kolektiviteti si formë e ruajtjes së humanes. Heroi i tij këmbëngul në individualitet, dallim dhe mospranim të konformizmit, tipare këto karakteristike të romanit modernist të shekullit XX.

Çfarë është absurdi?[1] Të jesh i pakuptueshëm është pak. Të flasësh për atë që nuk ka kuptim, që e humbet kuptimin, është edhe më pak se e para. Përsëritja e diçkaje, rifillimi i saj si gjendje e përhershme, edhe kjo shpreh dramën e absurdit. Absurdi, në kuptimin filozofik dhe estetik, i referohet përplasjes midis kërkesës njerëzore për kuptim dhe rend, dhe mungesës së një kuptimi të tillë në realitetin objektiv. Në këtë perspektivë, absurdi nuk nënkupton thjesht mungesë logjike apo pakuptimësi sipërfaqësore, por gjendjen ekzistenciale ku njeriu përballet me një botë që nuk i ofron përgjigje të qarta për pyetjet themelore të ekzistencës. Pohimi se Kasem Trebeshina është themeluesi i surrealizmit dhe i absurdit në letërsinë shqiptare përbën një fakt historik. Në një sistem letrar absurd, siç rezultoi të ishte realizmi socialist, autori përzgjodhi një zhanër të cilin e përdori për herë të parë në letërsinë shqipe, të karakterizuar nga surrealizmi dhe absurdi si tregues tipikë estetikë. Odin Mondvalsen, një vepër që nga këndvështrimi psikologjik funksionon si një mekanizëm mbrojtës (në psikoanalizë, ky term i referohet shkrimit që shërben si mbrojtje ndaj realitetit).[2] Në plan të parë paraqitet profili i një individi neurotik që i nënshtrohet një procesi diagnostikimi, një personazh me personalitet të dyfishtë dhe me ambiguitet të theksuar psikologjik. Përpjekja për të realizuar një psikoanalizë klinike, në këtë novelë, paraqitet në mënyrë konkrete dhe të drejtpërdrejtë, pasi lexuesi përfshihet në analizën e një subjekti narrativ kompleks, i cili dyshohet për devijime dhe anomali nga logjika e shëndoshë e perceptimit të realitetit. Emri Odin Mondvalsen, diagnoza klinike, kartela mjekësore dhe institucioni psikiatrik duhet të interpretohen si pasojë e përpjekjeve të një “laboratori politik” për manipulimin e individit, ku normat sistemike janë shkelur dhe i pandehuri, i vetëemërtuar Odin Mondvalsen, paraqitet në gjyq dhe shpallet nga gjykata si i sëmurë mendor. Sipas vendimit gjyqësor, një krim është kryer në një moment të së kaluarës, çka në thelb përbën një përpjekje për ta përshtatur individin brenda një skeme të paracaktuar, duke përcaktuar mënyrën se si ai duhet të funksionojë dhe ndaj çfarë normash duhet të bindet në veprimtarinë e tij. Kjo përbën filozofinë e këtij “laboratori prodhues”, i cili, në termat e Sigmund Freud, korrespondon me konceptin e Superegos – instanca që mishëron rregullat dhe normat shoqërore.[3]  Është për të ardhur keq që, aq sa kam dijeni, lëkura njerëzore nuk është e përshtatshme për prodhimin e këpucëve. Ato mund të duken estetikisht tërheqëse në pamje të parë, por nuk janë funksionale për përdorim. Ndoshta lëkura njerëzore do të ishte më e përshtatshme për prodhimin e çantave të grave, apo të funksionarëve, madje edhe të shkrimtarëve zyrtarë. Në këtë drejtim, bashkëshortet dhe funksionarët do të duhej të edukoheshin mbi mënyrën e përdorimit të këtyre çantave.[4] Në këtë gjendje të personalitetit të dyfishtë, sfida dhe vështirësia kryesore konsiston në ndarjen e logjikës së shëndoshë të perceptimit nga pjesa tjetër – loja e çmendurisë dhe devijimit, duke identifikuar ato instanca të diskursit narrativ në të cilat zbatohet logjika dhe rendi normal i gjërave, si dhe ato ku ky rend përmbyset dhe fillon loja artistike, e mbështetur nga gjendja neurotike dhe që, si rrjedhojë, prodhon absurditetin. Devijimi dhe loja e çmendurisë prodhojnë një rezultat thelbësor dhe në mënyrë autentike artistike, pasi përbëjnë mekanizmin qendror që autori përdor për të realizuar qëllimin e tij estetik dhe tematik përmes narratorit Odin. Spitali psikiatrik përbën një kontekst dhe rrethanë të përshtatshme për ndërtimin e një heroi absurdist dhe surrealist.[5] Pacienti neurotik Odin Mondvalsen trajtohet si një personazh i çmendur; ai dyshohet dhe trajtohet si dikush që nuk është në gjendje të plotë mendore, por kjo përbën një lojë artistike dhe një veprim të qëllimshëm estetik. Pacienti në fjalë ka mundësinë e “shërimit”, por në fakt palët gabojnë, pasi Odin nuk e ndryshon deklaratën e tij se është me origjinë daneze, sepse dëshiron të jetë danez. Në këtë kuptim, eksperimentet e zhvilluara mbi këtë individ në atë realitet shoqëror rezultojnë të dështuara. Vizitorët që shkojnë për të takuar Odin Mondvalsen në spital dështojnë në përpjekjen e tyre dhe dështimi i tyre përsëritet edhe në fund, kur ata e vizitojnë atë në shtëpinë e tezes së Xhevrisë, ku ai ripohon se është danez. Në një qasje në artikullin e saj “Format e rrëfimit në ‘Odin Mondvalsen’”, Dhurata Shehri e interpreton këtë aspekt si një variant të “autor-it të nënkuptuar”, ku ky i fundit ka zgjedhur një variant të vetvetes. Shehri thekson se: “Rrjedhimisht, narratori është protagonist i veprës, Odin Mondvalsen, një danez me nënë të lindur nga një baba italian dhe një nënë franceze, si dhe me një baba danez, i cili nuk dëshiron të bëhet mbret dhe nuk pi duhan.”[6] Spitali dhe diagnoza, si dhe kartela mjekësore që mjekët përpiqen të hartojnë, janë rezultat i rrethanave të mëparshme që kanë ndodhur me pacientin tonë në të kaluarën, supozohet në Hënë. Në fakt, kam përshtypjen se “Hëna” mund të qëndrojë si metaforë për Rusinë, ku autori ka ndjekur studimet universitare. Më pas ai u bë rebel në Leningrad, ndaj të cilit Shqipëria reagoi përmes institucioneve zyrtare të Tiranës, komiteteve dhe sekretarëve të partisë, dhe kur u zhvillua një mbledhje, sipas dëshmive të dhëna nga vetë Kasem Trebeshina në një intervistë me Edmond Çalin, rusët e morën në mbrojtje. Ai më pas u dërgua në një repart psikiatrik (me urdhër të Molotovit), si një lloj deus ex machina, një shpëtim në momentin e fundit për ta paraqitur si të çmendur, me kartelë mjekësore dhe diagnozën “paranojë dhe psikopati”.

Edhe kur Trebeshina u arrestua në vitin 1953, ai sërish u paraqit para një komisioni psikiatrik në Shqipëri. Në këtë mënyrë, ai ka përjetuar një përvojë personale, një ngjarje reale dhe empirike. Sipas mendimit tim, kjo ka shërbyer si një nxitës për shkrimin e “Odin Mondvalsen”. Kjo përbën një paralelizëm të fortë autobiografik, dhe në intervistën e përmendur, Trebeshina deklaron: “U çova në repartin psikiatrik dhe u shpalla i çmendur… Kjo më ka ndikuar më vonë, dhe pastaj më vonë, dhe pastaj më vonë. Kam përvojën time me spitalet. I njoh spitalet, raportet mjekësore, kartelat mjekësore, i njoh të gjitha. Kam shumë histori. Pas viteve 1950 i kam njohur shumë mirë herë pas here.”[7]

Duke qenë ligjërimi i një pacienti neurotik, materiali narrativ që rrjedh në formën e “rrjedhës së ndërgjegjes” buron nga një pavetëdije e cila është çliruar brenda vetë ndërgjegjes. Teoria klasike frojdiane pohon se “këto shtysa ose dëshira synojnë shkarkim të menjëhershëm, pavarësisht asaj që do të ndeshin në botën e jashtme. Ato rregullohen nga ‘procesi primar’, një formë e funksionimit mendor përmes së cilës energjia rrjedh lirshëm nëpërmjet mekanizmave të caktuar që vërehen jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në veprat e artit dhe letërsisë” [8]  Në këtë mënyrë, nga ëndrra drejt realitetit, në kuadër të analizës, duhet të trajtohen si material gjuhësor psikoanalitik. Autori komunikon përmes një kanali gjuhësor që është vetë vepra dhe përmes narratorit Odin. Fantazia, ëndrra e kthjellët (në kuptimin frojdian) dhe vepra janë ekuivalente.[9] Aftësia për të hyrë “nën lëkurën” e Odin-it përbën një efekt artistik që vjen natyrshëm dhe pa sforcim; lexuesi përjeton ndjesinë sikur ka takuar realisht një individ me një dramë të tillë ekzistenciale. Ky është një tipar karakteristik i individualitetit krijues të autorit. Në vepër, Odin shfaqet i butë dhe naiv, por drama ka përfshirë çdo tipar dhe element të historisë së tij. Vepra është e shkruar tërësisht në një stil modern dhe postmodern, duke qenë se, siç u përmend më lart, përmban elemente të absurdit letrar. Disa nga argumentet për këtë janë improvizimi, hamendësimi, intuita e ndërthurur me urtësinë, fantazia e përzier me lojën e çmendurisë, e cila shpesh shfaq nuanca të humorit të zi. Metamorfoza e madhe në trurin dhe psikikën e Odin Mondvalsen duket se ka lënë gjurmë të qarta, ndërsa spitali psikiatrik përbën kulmin dramatik të ngjarjes. Siç vëren Veli Karahoda në lidhje me subjektin dhe kompozicionin e veprës në artikullin “Odin Mondvalsen, heroi i absurdit”, “Drama e Odin Mondvalsen-it nuk është e organizuar sipas metodës prustiane; ajo nuk paraqet një histori kërkimi, pasi ajo që është humbur nuk mund të kërkohet; po ashtu, nuk është drama e ekzistencës në kërkim të esencës së saj, si tek Poulet. Drama e Odin-it është rrethore, një dramë që ka ndodhur para se të fillojë rrëfimi”[10] Vetitë e pacientit dhe diskursi i një të çmenduri si subjekt neurotik përbëjnë një shtresë të rëndësishme që i shton veprës një dimension estetik, duke qenë se, siç dihet gjerësisht, realiteti i artikuluar nga një person i konsideruar i çmendur shpesh nuk merret në konsideratë në gjykata, sipas dispozitave përkatëse. Narracioni i veprës përputhet me një tip narrativ surrealist, nën ndikimin e asaj që mund të quhet stil cervantesk. Në intervistën e dhënë për Edmond Çalin, Kasem Trebeshina përmend se Cervantesi ishte një nga mentorët e tij artistikë përmes “Don Kishotit”, dhe në këtë kuptim, vepra e tij mbart nuanca ngjashmërie me të ashtuquajturën “arsyeja e paarsyes”.[11] Përdorimi fiksional i personazheve historikë (që përmbys faktet historike) synon krijimin e efekteve tragjikomike; historitë e tyre të imagjinuara marrin karakter komik, ndërsa autori i jep qëllimisht përparësi lojërave gjuhësore që prodhojnë delir. Përmes Odin-it, Kasem Trebeshina hyn dhe del nga kufijtë e delirit sa herë që dëshiron. Së bashku me mekanizmin e neurozës, deliri shërben si mjet gjuhësor për qëllime artistike, duke prodhuar efekte estetike dhe kënaqësi artistike, përveç funksionit të tij argëtues.

Sipas Lacan-it, pavetëdija strukturohet përmes gjuhës. Gjuha në Odin Mondvalsen realizohet si formë narrative, me nën-rrëfime shumë të shkurtra dhe të ndërthurura, disa të rrëfyera nga vetë Odin-i, disa nga pacientët e tjerë, të cilët tregojnë për faraonë, mbretër, Potifarë dhe Egjiptin e lashtë. Vetvetja, Odin Mondvalsen, në retorikën diskursive e cila në këtë rast rrëfehet në vetën e pare përmban metoniminë dhe metaforën si dy elemente përbërëse thelbësore. Metafora (metafora kontekstuale)[12] zë një pozicion qendror në diskursin narrativ dhe realizohet përmes konceptit dhe procesit të sublimimit (një koncept frojdian: “Sa i përket metaforës, dëshira zbulohet përmes zëvendësimit metaforik të kuptimit sipërfaqësor me kuptimin e shtypur. Metafora mund të konsiderohet si simptomë që shfaq dëshirën e shtypur, duke ofruar akses në pavetëdije përtej kufirit midis shenjuesit dhe të shenjuarit”[13], ku personazhet, situatat dhe objektet lidhen përmes parimit të analogjisë. Për shembull, Odin Mondvalsen parashikon, si një orakull grek i Delfit, vdekjen e të dashurës së tij Xhevrisë, duke rrëfyer më parë historinë e skeleteve të dy personave me ngjyrë në shkretëtirë. Situatat janë të ngjashme: tragjedia projektohet në mendje dhe imagjinatë. Në mënyrë të ngjashme, xhuxhi që udhëton mbi një pilivesë, një figurë fantazmagorike imagjinare, në realitet paralajmëron një “tërmet”, një ngjarje të pakëndshme dhe paralajmëruese. Dialogu ironik me xhuxhin mbi pilivesë i paraprin vizitës së dy funksionarëve të Ministrisë në shtëpinë ku Odin jetonte me të fejuarën e tij, Xhevrisë. Dëshirat, të vërtetat dhe realitetet në vepër paraqiten përmes gjuhës metaforike, sepse në realitetin e realizmit socialist, në përputhje me rregullat e vendosura, ekziston një shtypje e gjuhës dhe mendimit; situatat zëvendësohen në mënyrë metaforike, ndërsa personazhet imagjinare shfaqen në diskursin narrativ, siç përshkruhet edhe në teorinë psikoanalitike: “Në rastin e një neurotiku, simptomat fizike ofrojnë shenja për kalimin nga gjuha drejt shqetësimeve të përditshme”[14] Lacan-i i konsideron këto tipike për një subjekt neurotik, gjë që në këtë rast korrespondon me Odin Mondvalsen, i cili sjell shqetësimet e tij të përditshme, vuajtjen dhe dramën përmes diskursit të pavetëdijes së tij, të materializuar në rrëfim dhe në novelë si vepër letrare.


  • [1]ABSURD mb. libr. –  Që është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë e me logjikën, që është pa kuptim, jashtë mendjes. Mendim (gjykim) absurd. Pikëpamje (ide) absurde. Është krejt absurde.
  • [2] Edlira Macaj. Leksione të kursit “Teori dhe kritikë letrare”. Universiteti i Tiranës, Departamenti i Letërsisë, 2025.
  • [3] Sigmund Freud. Ëndrra, deliret, telepatia. Tiranë: Fan Noli, 2004.
  • [4] Kasëm Trebeshina. “Odin Mondvalsen”, “Legjenda e asaj që iku”. Tiranë: SHBLSH, 1992.
  • [5] Ornela Domi. “Leximi i absurdit”. Punim kërkimor, gusht 2014.
  • [6] Dhurata Shehri. “Trajtat e rrëfimit te ‘Odin Mondvalsen’.” Rilindja Javore, 30 korrik – 5 gusht 1995, f. 14
  • [7] Edmond Çali. “Intervistë me Kasem Trebeshinën”. Romë: Aracne, 2006.
  • [8] Alan Jefferson, David Robey, & David Forgacs. Modern Literary Theory: A Comparative Introduction. London: B.T. Batsford, 1986.
  • [9] Sigmund Freud. Ëndrra, deliret, telepatia. Tiranë: Fan Noli, 2004.
  • [10] Veli Karahoda. “Trebeshiniana: ‘Odin Mondvalsen, hero i absurdit’.” Trebeshiniana. Tiranë: Marin Barleti, 1998, f. 23.
  • [11] Edmond Çali. “Intervistë me Kasem Trebeshinën”. Romë: Aracne, 2006.
  • [12] Fjalori Shpjegues i Termave të Letërsisë: metaforë-a (gr. Metaphorá- tejbartje): “Është një nga tropet kryesore që i jep një fjale kuptimin e një fjale tjetër. Shprehjet «qeshet natyra», <<më qan zemra» «e ardhme e ndritur», «vullnet i çelniktë janë shprehje metaforike, sepse foljet qeshet, qan dhe mbiemrat i ndritur, i çelnikët janë përdorur me kuptim të figurshëm. Edhe metafora, si krahasimi, mbështetet në marrëdhënie ngjashmërie, por ndërsa tek ky i fundit bëjnë një krahasim të thjeshtë («Je e bukur si dielli») tek metafora krijohet një identifikim me vetë sendin (Je një diell). Kështu pra tek metafora ideja abstrakte (bukuria) zëvëndësohet nga një figurë konkrete, më e gjallë dhe më shprehëse (dielli) që të lë më të fortë se krahasimi i thjeshtë (1972).
  • [13] Alan Jefferson, David Robey, & David Forgacs. Modern Literary Theory: A Comparative Introduction. London: B.T. Batsford, 1986.
  • [14] Po aty, fq. 22.