Libri “Hipoteza e Dashurisë”, bestselleri ndërkombëtar së shpejti edhe në ekran/ Botime Univers

Një histori dashurie mes shkencës dhe një marrëveshje që nuk shkon sipas planit. “Hipoteza e Dashurisë”, romani i Ali Hazelwood, vjen për lexuesin shqiptar i përkthyer nga Elvis Hyseni, përkthyes i disa prej kryeveprave klasike të sjella në gjuhën shqipe nga Botime Univers. Një roman romantik shumë i komentuar nga lexuesit në mbarë botën, vjen me një rrëfim ku ndërthuren natyrshëm romanca, humori, bota akademike dhe shkenca. Në qendër të romanit është Olive Smith, një studiuese e re që, për të bindur mikeshën e saj se jeta sentimentale po shkon në drejtimin e duhur, përfshihet në një marrëdhënie të sajuar me Adam Carlsen, një profesor brilant dhe i frikshëm për kolegët e tij. Ajo që nis si një marrëveshje e thjeshtë dhe pa pasoja duket se merr shpejt një tjetër drejtim. Mes laboratorëve, kërkimeve shkencore, ambicieve profesionale, keqkuptimeve dhe situatave të papritura , nga një “takim i rremë” nis të përzihet me ndjenja gjithnjë e më të vërteta.

Shkencë, kimi, humor dhe dashuri, kjo është bota e hipotezës së dashurisë, që ka gjetur një audiencë të gjerë te lexuesit e romancave moderne dhe që tashmë po përgatitet të kalojë nga faqet e librit në ekran.

Historia që lexuesit e kanë njohur përmes librit do të vijë së shpejti edhe në ekran, duke i dhënë një dimension të ri një romance që tashmë ka krijuar një komunitet të madh fansash. Për lexuesin shqiptar, kjo është edhe një arsye më shumë për ta njohur historinë përpara se ta shohë në ekran. Me botimin në shqip, “Hipoteza e Dashurisë” i bashkohet katalogut të Botime Univers, duke sjellë një nga historitë romantike më të njohura të letërsisë bashkëkohore për një publik të ri.

Një roman për ata që besojnë se dashuria nuk mund të matet gjithmonë me formula, se planet nuk shkojnë gjithmonë sipas parashikimeve dhe se ndonjëherë kimia më e fortë nuk gjendet në laborator.

“Hipoteza e Dashurisë” – Ali Hazelwood

Përkthyer në shqip nga Elvis Hyseni

Botime Univers

📖 Lexoje historinë para se ta shohësh në ekran