Dy autorë të Botimeve Univers në finalen e fondit të krijimtarisë letrare për Fëmijë 2026, Adelina Mamaqi mes fitueseve!

Home » Univers | Kulturë & Libra » Dy autorë të Botimeve Univers në finalen e fondit të krijimtarisë letrare për Fëmijë 2026, Adelina Mamaqi mes fitueseve!

Botime Univers shënoi një rezultat të rëndësishëm në edicionin 2026 të Fondit të krijimtarisë letrare “Libri për Fëmijë”, duke pasur dy autorë në mesin e pesë finalistëve, Adelina Mamaqi dhe Aldo Mustafa. Në përfundim të procesit të vlerësimit, autorja e mirënjohur Adelina Mamaqi u shpall një nga tre fitueset e këtij fondit, duke siguruar mbështetjen për botimin e dorëshkrimit të saj të radhës.


Sipas procesit të zhvilluar nga juria e Fondit, të gjitha dorëshkrimet u vlerësuan në mënyrë anonime, vetëm mbi bazën e cilësisë artistike, origjinalitetit, strukturës narrative, gjuhës dhe vlerave edukative, pa u njohur identiteti i autorëve apo shtëpitë botuese deri në përfundim të vlerësimit. Ky standard garantoi një proces të paanshëm dhe profesional.
Nga dorëshkrimet e paraqitura në konkurs, në fazën finale u përzgjodhën pesë autorë, Adelina Mamaqi, Aldo Mustafa, Fatmir Gjestila, Teuta Toska dhe Xhahid Bushati. Prania e dy autorëve të Botimeve Univers në këtë listë përbën një dëshmi të cilësisë së katalogut dhe të angazhimit të vazhdueshëm të shtëpisë botuese në mbështetje të letërsisë shqipe për fëmijë. Në përfundim të procesit, juria shpalli fituese veprën “Tregimet e kalendarit” të Adelina Mamaqit, me motivacionin: “Për tregimet plot humor dhe origjinalitet, që i shndërrojnë ditët e kalendarit në rrëfime argëtuese dhe edukative, duke nxitur kureshtjen e lexuesve.” Vepra do të mbështetet për botim në kuadër të Fondit të Krijimtarisë Letrare “Libri për Fëmijë”, 2026.
Ky vlerësim vjen si një tjetër dëshmi e kontributit të gjatë të Adelina Mamaqit në letërsinë shqiptare për fëmijë, ndërsa për Botimet Univers përfaqëson një sukses të rëndësishëm institucional, me dy autorë të përzgjedhur në finale dhe një autore fituese në një nga fondet më prestigjioze për krijimtarinë origjinale për fëmijë në Shqipëri.

#botimeunivers #adelinamamaqi #aldomustafa #libriperfemije